CLE: Deklaratë në lidhje me rastin e shtetasit J.R

Centre for Legal Empowerment, ngre katër pyetje mbi rastin e shtetasit J.R dhe procedurës së ndjekur nga organet ligjzbatuese të cilat kanë nevojë për përgjigje urgjente dhe transparente.

  • Cila ka qenë shkaku që Znj. P. R. (nëna e J. R.) është njoftuar mbas 11 ditësh për gjendjen e rëndë shëndetësore të djalit të saj dhe faktit që ai ka qenë shtruar në ambientet e spitalit?
  • A i është kryer të paraburgosurit një vizite ekzaminuese dhe interviste mjekësore nga ana e mjekut të IEVP?
  • Cili është shkaku i gjendjes së rëndë shëndetësore të paraburgosurit J. R.?
  • Cila është arsyeja që familjarët e të paraburgosurit nuk janë informuar ende për shkakun e gjendjes së rëndë shëndetësore të paraburgosurit edhe mbasi kanë kaluar 15-të ditë nga emergjenca shëndetësore dhe shtrimi në ambientet e spitalit të paraburgosurit?

Për më shumë informacion lexoni deklaratën e plotë të CLE në këtë link.

Shtetasi J.R., pjesë e komunitetit rom, ndodhej në paraburgim pranë “Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penal Mine Peza (302)” përpara se të dërgohej në spital për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Familjarët kanë informuar CLE se shtetasi nuk ka pasur probleme të mëparshme shëndetësore dhe dyshojnë se gjendja e rëndë shëndetësore në të cilën ndodhet aktualisht, është pasojë e dhunimit gjatë qëndrimit në “Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Mine Peza (302)”.
Paraligjorët dhe familjarët e shtetasit J. R., janë paraqitur pranë Komisariatit të Policisë nr. 3, Tiranë më datë 30 prill për të referuar rastin dhe vendosur institucionet menjëherë në lëvizje për kryerjen e procedurave të nevojshme për hetimin e ngjarjes dhe shkaqeve, pasi shtetasi J.R. ndodhet në gjendje të rënduar dhe gjendja e tij mund të përkeqësohet. Paraligjorët dhe familjarët e të dëmtuarit kanë përcjellë pranë CLE informacionin që Komisariati i Policisë nr. 3, Tiranë ka refuzuar të regjistrojë kallëzimin penal për fillimin e procedimit penal lidhur me këtë rast.


Në vijim të kësaj, CLE, përmes një deklarate për media të datës 30 prill, i kërkoi Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të kryejnë në mënyrë të menjëhershme një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të shkaqeve dhe rrethanave që kanë shkaktuar dëmtimin dhe gjendjen e rëndë shëndetësore të shtetasit J.R gjatë qëndrimit në paraburgim.

Reagimi i Policisë së Shtetit erdhi në mëngjesin e datës 2 maj, deklaratë e cila solli dhe reagimin e menjëhershëm të CLE me kërkesat për informacion drejtuar institucioneve përkatëse dhe ngritjen e pyetjeve të sipërpërmendura.

Epikriza e vendosur në dispozicion nga Spitali Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë lidhur me rastin e shtetasit J.R, bën me dije se “shtetasi J.R. është gjetur nga Stafi Mjekësor i Urgjencës së Tiranës në ambientet e komisariatit jo koshient, pa puls periferik, me puls central dhe në kushtet e bradipnesë. (…) Nga konsulta e toxikologut pacienti kishte 4 ditë që kishte filluar terapinë zëvendësuese me Metadon”. Ndërkohë deklarata e publikuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në datë 2 maj përcjell vetëm informacionin për njoftimin e Stafit Mjekësor të Urgjencës së Tiranës sepse shtetasi J.R kishte shfaqur shqetësime shëndetësore.

CLE dhe avokatët e saj shprehin shqetësimin e tyre për mospasqyrimin në deklaratën për shtyp të datës 02.05.2023, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë të informacionit për fillimin e terapisë zëvendësuese me Metadon gjatë 4 ditëve të fundit për pacientin (pra gjatë kohës së qëndrimit në Bllokun e Sigurisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë).


CLE njofton se në bashkëpunim me Qendrën “Fuqizim dhe Organizim Komunitar” nëpërmjet avokatëve dhe paraligjorëve do të vazhdojë ndjekjen e rastit deri në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që kanë sjellë si pasojë gjendjen e rëndë shëndetësore të shtetasit J.R.

Shpërndaje postimin

Facebook
Twitter
LinkedIn