CLE në bashkëpunim me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas zhvilluan ciklin e trajnimeve me temë:
“Trajnim fillestar i paraligjorëve të angazhuar pranë Qendrave të Ndihmës Juridike Parësore, OJF-ve si dhe komuniteteve të ndryshme”.
Në datat 6, 11, 13, 18 dhe 20 tetor u zhvilluan një seri trajnimesh me temë “Trajnim fillestar i paraligjorëve të angazhuar pranë Qendrave të Ndihmës Juridike Parësore, OJF-ve si dhe komuniteteve të ndryshme”. Trajnimet u zhvilluan në platformën Zoom dhe u fokusuan në temat:
- Nocioni i paraligjorit; Kuadri ligjor dhe funksionet e tij në dobi të komunitetit (6 tetor)
- Ndihma juridike e garantuar nga shteti, risitë e ligjit nr. 111/2017 (11 tetor)
- Kuadri ligjor për mbrojtjen e kategorive të veçanta përfituese të ndihmës juridike (13 tetor)
- E drejta e informimit dhe mënyra e hartimit të shkresave zyrtare (18 tetor)
- Kuptimi i ndërmjetësimit, zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve (20 tetor)
Ftesat për pjesëmarrje në trajnime, iu përcollën organizatave jofitimprurëse që kanë në fokus ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike të garantuar nga shteti, me synim pjesëmarrjen e specialistëve të fushës (paraligjorë, juristë, ekspertë, psikologë, ndërmjetës, studentë) si dhe çdo personi tjetër të interesuar për të ushtruar detyrën e paraligjorit, nëpërmjet njoftimit në rrjetet sociale.
Ndonëse pjesmarrja gjatë trajnimit të parë u konfirmua nga 22 persona, kjo pjesëmarrje ka ardhur në rritje pas çdo trajnimi, ku shumë të interesuar shprehën dëshirën për tu bërë pjesë pas postimeve përkatëse në rrjetet sociale.
Trajnimet nisën me prezantimet përkatëse nga z. Franc Terihati, Drejtor Ekzekutiv i Centre for Legal Empowerment, dhe z. Ergys Qirici, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas (DNJF).
Z. Terihati theksoi rolin dhe rëndësinë e paraligjorit për komunitetet të cilat nuk kanë mundësi të aksesojnë Qendrat e Ndihmës Juridike Parësore, duke prezantuar dhe nismën e CLE për trajnimin fillestar të paraligjoreve me synim rritjen e njohurive të tyre për fusha specifike të legjislacionit dhe për të përmirësuar aftësitë e tyre për të ndërvepruar me komunitetin. Ndërkohë z. Qirici, prezantoi paraprakisht trajnimet që do të zhvillohen duke ritheksuar rëndësinë që paraligjorët kanë në komunitetet ku bëjnë pjesë.
Në përfundim të seancave të trajnimit, u zhvillua dhe vizita studimore (dt. 25.10.2022) në ambientet e Qendrës së Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Tiranë, ku paraligjorët e interesuar patën mundësinë të njohin nga afër veprimtarinë e ofrimit të shërbimit nga kjo qendër për qytetarët. Pjesëmarrësit patën mundësi të ndjekin prezantimet e pëgatitura nga trajnuesit dhe më pas ti drejtojnë pyetje në lidhje me çështje konkrete nga jeta e tyre e përditshme dhe mbi çdo paqartësi tyren.
Të gjitha takimet dhe aktivitetet u pasqyruan në rrjetet sociale dhe website të CLE, si dhe pjesëmarrësit do të marrin një certifikatë për trajnimin e zhvilluar. Ceremonia do të zhvillohet gjatë muajit nëntor pranë zyrëssë CLE.