Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në marrëdhëniet e punës konform ligjeve në fuqi dhe kushteve kontraktuale vijon të jetë një cështje apo sektor problematik dhe me shumë të panjohura, jo vetëm për punëmarrësit por edhe punëdhënësit.
Centre for Legal Empowerment po zbaton projektin “Zbatimi i ndërmjetësimit në marrëdhëniet e punës në fushën e fasonerisë dhe call center”, që mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhë Industrisë Gjirokastër.
Për të rritur nivelin e informimit të të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve kontraktuale përmes ndërmjetësimit, Centre for Legal Empowerment po zhvillon një fushatë me aktivitete në terren duke u ulur bashkarisht me bizneset, punëmarrës, punëdhënës, grupe interesi dhe dhomat e tregtisë.
Në këtë kuadër u zhvillua dhe takimi në qytetin e Gjirokastrës, ku Drejtori Ekzekutiv i CLE Franc Terhiati prezantoi për të pranishmit objektivat konkrete të nismës që po zbaton qendra dhe rëndësinë e njohjes së procesit të ndërmjetësimit nga aktorët e përfshirë.
“Zgjidhja me ndërmjetësim e mosmarëveshjeve në marrëdheniet e punës është një koncept që sjell avantazhe në rastet kur aplikohet duke i garantuar të gjitha palëve të përfshira respektimin e të drejtave dhe detyrimeve kontraktuale atyre, u shpreh eksperti ligjor Prof.
Dr. Sokol Mëngjesi,i cili është autor i një përmbledhje inforumuese “Zgjidhja me ndërmjetësim i mosmarrëveshjeve në marrëdhëniet e punës” të cilën e ka realizuar me mbështetjen e CLE.
Ndërkohë Z. Maksim Hoxha, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Gjirokastër parashtroi këndvështrimin e biznesit në lidhje me aplikimin e procedurës së ndërmjetësimit teksa Z. Pirro Boboli – Avokat/Ndërmjetës, prezantoi për të pranishmit mënyrën e zhvillimit të procedurës së ndërmjetësimit dhe efektet e marrëveshjes së ndërmjetësimit.
Takimi, u moderua nga Av. Msc. Arbesa Kurti, Eksperte Ligjore, e cila shprehu gadishmërinë për të ofruar informacionin dhe trajnimet e nevojshme për sipërmarrjet punëmarrëse që operojnë në qarkun e Gjirokastres me qëllim ndërgjegjësimin e tyre mbi të drejtat dhe detyrimet në marrëdhëniet e punës, si dhe për avantazhet që ka zbatimi i procedurës së ndërmjetësimit.
Gjithashtu ndërmjetësit dhe përfaqësuesit e institucioneve që ishin të pranishëm në takim, shkëmbyen informacione në lidhje me nismat që po ndërmerren në kuadër të zbatimit të metodave alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, sikundër është ndërmjetësimi.
Të gjitha materialet dhe informacionet e prezantuara në kuadër të kësaj nisme do të jenë të aksesueshme për të gjithë publikun në faqen zyrtare të Centre for Legal Empowerment www.cle.al si dhe në kanalet e medias sociale. Gjithashtu për çdo pyetje, qytetarët mund të drejtohen në faqen juristionline.al për të marrë një informacion dhe përgjigje për çdo pyetje.*