11 Organizata të Shoqërisë Civile Mjedisore Shqiptare kanë paditur autoritetet publike për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.59 dhe nr.60, që cenon integritetin territorial gjeografik dhe social-ekologjik të Zonave të Mbrojtura.
Padia është dërgur në gjykatë më 26 janar të këtij viti nga 11 organizata mjedisore me qëllim ruajtjen e zonave të mbrojtura në vend. Kjo padi vjen pas organizimit të Forumit Mjedisor 2023 nga një grup prej 51 organizatash dhe përfaqësuesish të institucioneve shkencore, kërkimore dhe akademike të cilat nënshkruan një Deklaratë për mbrojtjen e rrjetit të Zonave të Mbrojtura. (lexoni më shumë duke klikuar këtu)
Vendimet e Këshillit të Ministrave të cilat organizatat po kundërshtojnë, reduktojnë sipërfaqen e Zonave Ligatinore të Mbrojtura, heqin habitatet e çmuara prej tyre, hapin rrugën për zhvillime të paqëndrueshme në ose në afërsi të tyre, rrisin ndikimet negative në zonat qendrore të Zonave të Mbrojtura, shterojnë habitatet dhe speciet, godasin larminë biologjike të këtyre zonave dhe të gjithë Shqipërisë.
Vendimet prekin Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro. Padia e përgatitur paraqet argumentet e mbështetur në legjislacion dhe në ekspertizën përkatëse në fushën e mjedisit, për shfuqizimin e dy VKM-ve me nr. 59 dhe nr. 60.