Avokatët e CLE kanë paraqitur ankesë pranë Avokatit të Popullit në lidhje me konstatimin e shkeljeve të kryera nga prokurori i çështjes për vonesat në veprimet paraprake hetimore lidhur me vdekjen e të ndjerit J.R i cili gjatë qëndrimit të tij në “Bllokun e Dhomave të Sigurisë” në DVP Tiranë, është dërguar në gjendje të rënduar shëndetësore në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ku ka ndërruar jetë.
Avokati i Popullit ka shqyrtuar ankesën e paraqitur, duke analizuar pretendimet e pasqyruara dhe konkretisht:
• Ekzistencën e vonesave në veprimet paraprake hetimore.
• Mosinformimin lidhur me veprimet hetimore të kryera dhe për fazën ku ndodhet hetimi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë Tiranë, pavarësisht kërkesave të përsëritura të saj për informacion.
• Kalimin e afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale për hetimin dhe mungesën e njoftimit për zgjatjen e afateve të hetimit.
Referuar nenit 13, paragrafi i parë, të ligjit nr. 8485, datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, që parashikon se: “Avokati i Popullit fillon procedurën e shqyrtimit të çështjes kur vëren ose dyshon se ka ndodhur një shkelje e së drejtës, në bazë të ankesës ose të kërkesës së personit të interesuar ose të dëmtuar, si dhe me nismën e vet, për raste të veçanta të bëra publike.”
Pas shqyrtimit të pretendimeve të paraqitura Avokati i Popullit ka konstatuar se ankesa është e mbështetur dhe se ka pasur zvarritje të procedurave, mosrespektim të afateve të hetimit dhe mungesë informacioni nga organi i prokurorisë, të cilat kanë shkelur të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Mbështetur në këto pretendime dhe në ligjin nr. 8485, datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, është vlerësuar se ankesa përmban elemente të mjaftueshme për t’u shqyrtuar nga Avokati i Popullit.

Shpërndaje postimin

Facebook
Twitter
LinkedIn