Në datën 1 shkurt, në zyrat e Centre for Legal Empowerment, u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit në “Trajnimin fillestar të paraligjorëve të angazhuar pranë Qendrave të Ndihmës Juridike Parësore, OJF-ve si dhe komuniteteve të ndryshme”.
Kjo nisëm mundësoi zhvillimin e një cikil prej 5 trajnimesh online, i cili u pasua me një vizitë studimore pranë Qendrës së Ndihmës Juridike Parësore në Tiranë. Të gjithë pjesëmarrësit morën një kualifikim më tepër mbi temat e trajnimit:
- Nocioni i paraligjorit; Kuadri ligjor dhe funksionet e tij në dobi të komunitetit
- Ndihma juridike e garantuar nga shteti, risitë e ligjit nr. 111/2017
- Kuadri ligjor për mbrojtjen e kategorive të veçanta përfituese të ndihmës juridike
- E drejta e informimit dhe mënyra e hartimit të shkresave zyrtare
- Kuptimi i ndërmjetësimit, zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve
Në këtë aktivitet pjesëmarrës ishin z. Franc Terihati, drejtor ekzekutiv i CLE, z. Ergys Qirici, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas (DNJF), znj. Patricia Pogaçe, Drejtor i Drejtorisë së Zbatimit të Politikave dhe Administrimit të Ndihmës Parësore pranë DNJF, si dhe pjesëmarrësit në trajnime. Në fjalën e tyre hapëse ata shprehën kënaqësinë për organizimin dhe suksesin e trajnimeve me një pjesëmarrje të mbi 20 paraligjorëve dhe interesin e shprehur nga shumë të tjerë për trajnime në vijim, si dhe theksuan rolin e paraligjorit në shoqëri.
Pas shpërndarjes së certifikatave u zhvillua një bashkëbisedim i shkurtër mbi problematikat e ndyshme që hasen në shoqëri dhe mbi nevojat e paraligjorëve për trajnime të ardhshme.





