Pushim kolektiv nga puna i punonjësve të kompanisë call centre

CLE po ndjek në gjykatë rastin e pushimit nga puna të 12 punëmarrësve, nga një shoqëri call centre, pa respektuar aftet dhe procedurat e përcaktuara në ligj.

Më 03.12.2021 një shoqëri call centre me seli në Tiranë, vendosi ish punonjësit e saj përballë një situate tepër të vështirë si pasojë e mos respektimit të afateve të përcaktuara në ligjin për pushimin kolektiv nga puna, dhe mos respektimit të procedurave përkatëse, ku seancat këshillues u zhvilluan në mungesë të Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë (SKOT) dhe u shpallën të mbyllura pa i dhënë përgjigje çështjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga punonjësit.

E njohur me këtë çështje e cila iu referua nga SKOT, Centre for Legal Empowerment, me dëshirën e 12 prej punonjësve tashmë të pushuar nga puna, mori përsipër ndjekjen ligjore të saj me paraqitjen e një padie kundër kompanisë call-centre.

Paditësit, të përfaqësuar nga CLE, i kërkojnë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë:

  • Detyrimin e palës së paditur të shpërblejë dëmin e rrjedhur nga zgjidhja  e menjëhershme e kontratës së punës si pasojë e mosrespektimit të afatit të  njoftimit për pushimin kolektiv nga puna me pagën e 12 (dymbëdhjetë) muajve
  • Detyrimin e palës së paditur që t’i paguajë secilit nga paditësit dëmshpërblim shumën e 3 (tre) muajve pagë mujore  që do të ishte përfituar prej tyre në rast se do të ishte respektuar afati i njoftimit
  • Detyrimin e palës së paditur për të dëmshpërblyer pagën e 6 (gjashtë) muajve si pasojë e shkeljes së procedurës së pushimit kolektiv nga puna

Paditësit pretendojnë se i takojnë në total 20,186,040 ALL dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga pushimi kolektiv nga puna.

Kërkesat e tyre bazohen në një vijimësi parregullsish nga shoqëria call centre si mosrespektimi i afateve kohore dhe proceduriale të përcaktuara në ligj. Mosrespektimi i afateve të përcaktuara në ligj, vuri paditësit përballë pasigurisë për pasjen e një burimi të ri të ardhurash për periudhën pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, ndërkohë që mbyllja e seancave pa kthimin e përgjigjeve të shtruara dhe diskutimin e çështjeve të ngritura, shkakton paqartësi. Për më tepër në këto seanca mungonte sindikata SKOT e cila mbron interesat e punonjësve dhe do të ishte në ndihmesë të tyre për të marrë shpjegimet dhe përgjigjet e nevojshme.

Padia tashmë është dërguar në gjykatë ku pritet njoftimi në lidhje me zhvillimin e çështjes gjyqësore.

Shpërndaje postimin

Facebook
Twitter
LinkedIn