Pas punës disa mujore të Centre for Legal Empowerment dhe 3 studentëve të Fakultetit të Drejtësisë mbi nismën “Zyrat e Karrierës”, manuali përfundimtar u prezantua para studentëve dhe zv dekanit të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Ditën e martë, datë 20 dhjetor, në ambientet e FDUT, para studentëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe me praninë e zv. Dekanit Erjon Muharremaj dhe drejtorit ekzekutiv të CLE, z. Franc Terihati, studentët pjesëmarrës në këtë projekt bënë një paraqitje të punës që ata kanë bërë gjatë kësaj periudhe.
Gjatë aktivitetit studentët u njohën fillimisht me Zyrat e Karrierës, punën e këtyre zyrave, si dhe u prezantuan me disa modele vendase e evropiane të cilat janë monitoruar gjatë projektit për të arritur konkluzionet përfundimtare.
Studentët prezantuan punën e tyre të deri tanishme dhe folën mbi qëllimet kryesore të ktëij projekti: “Rivitalizimin e Zyrës së Karrierës në FDUT”, ku kjo strukture mungon aktualisht. Zv dekani i Fakultetit, Dr. Erjon Muharremaj mbështeti nismën dhe siguroi studentët se fakulteti po punon mbi rekrutimin e stafit dhe rihapjen e këtyre zyrave. “Shumë shpejt dhe në Fakultetin tonë do të rifunksionojë kjo zyrë dhe do të vijë në ndihmë të të gjithë studentëve tanë.”.
Ndërkohë, z. Terihati shprehu mbështetjen e CLE në rivializimin dhe mirëfunksionimin e kësaj zyre në vijim. “Manuali i këtij projekti është krijuar pikërisht me këtë qëllim kryesor, ndaj ndihemi mirë të dëgjojmë se shumë shpejt kjo Zyrë do të vijë në ndihmë të studentëve të drejtësisë. Mbështetja e CLE do të jetë maksimale për mirëfunksionimin e kësaj Zyre.”
Në fund të takimit studentët morën dhe fletpalosjet informuese mbi Zyrat e Karrierës për të pasur një informacion të plotë mbi funksionin e këtyre zyrave dhe si ato i vijnë në ndihmë secilit student.
Ju mund të aksesoni manualin si dhe fletëpalosjen në këtë postim duke klikuar më sipër.
***Zyrat e Karrierës është zhvilluar në kuadër të projektit “Creative Activism 2022” të krijuar nga Open Society Foundation Albania.