Një manual shpjegues në formën e një udhëzuesi praktik për tu ardhur në ndihmë punëmarrësve, punëdhënësve dhe përfaqësuesve të tyre ligjor.

Ndërmjetësimi është një procedurë jashtëgjyqësore, në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje me anë të një personi të tretë asnjanës (ndërmjetësit), për të arritur një zgjidhje të pranueshme e cila nuk bie në kundërshtim me ligjin. Tashmë ndërmjetjësimi gjen një përdorim të gjerë në fusha të ndryshme të jetës si një mjet ligjor i lehtë dhe ekonomik për të zgjidhur mosmarrëveshjet.   

Centre for Legal Empowerment me mbështjetjen e OSFA dhe me kontributin e grupit të ekspertëve ligjor Av.Msc. Arbesa Kurti, Av. Franc Terihati, Prof. Dr. Sokol Mëngjesi, Av. Pirro Boboli, dhe Av. Endrit Kapaj kanë përgatitur manualin “PËR ZBATIMIN E PROCEDURËS SË NDËRMJETËSIMIT NË ZGJIDHJEN E MOSMARRËVESHJEVE NË MARRËDHËNIET E PUNËS”, i cili synon të paraqesë në gjuhë të thjeshtë konceptin e ndërmjetësimit dhe të shërbejë si një udhëzues praktik për punëdhënësit, punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre për të vendosur nëse, dhe në çfarë rrethanash, ndërmjetësimi mund të jetë i përshtatshëm dhe si mund të ndikojë në parandalimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të krijohen në marrëdhëniet e punës.

Manuali përfshin analizën ligjore dhe zbatimin në praktikë të kuadrit ligjor mbi aplikimin e procedurës së ndërmjetësimit, duke e ndërthurur me shembuj konkret të mosmarrëveshjeve në marrëdhëniet e punës dhe mjeteve me anë të të cilave mund të zgjidhen mosmarrëveshjet.

Për të pasur një tablo të plotë mbi avantazhet që ka procedura e ndërmjetësimit, me hapa konkretë, bëhet krahasimi me procedurat gjyqësore, duke marrë si komponent krahasues kohën dhe kostot për zhvillimin e secilës procedurë.

Gjithashtu, analizohen në mënyrë konkrete se cilat mund të jenë disa nga mosmarrëveshjet në marrëdhëniet e punës, si lindin këto mosmarrëveshje, si zhvillohet një procedurë ndërmjetësimi për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje në marrëdhëniet e punës, parimet mbi të cilat zhvillohet procesi ndërmjetësimit, si zgjidhet ndërmjetësi, çfarë efektesh ka marrëveshja e ndërmjetësimit.

Shpërndaje postimin

Facebook
Twitter
LinkedIn