Misioni

Gjatë periudhës 2017-2021 një grup avokatësh dhe paraligjorësh u angazhuan në projektet operacionale “Klinikat e Ligjit” të zbatuara nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe financuar nga Ambasada Zviceriane, “LevizAlbania”. Klinikat e Ligjit u projektuan si një nismë që kishte dy prioritete:

i) Zhvillimin e kapaciteteve litiguese të Klinikave të Ligjit; 
ii) Ofrimin e ndihmës juridike falas për qytetarët dhe komunitetet më në nevojë dhe të margjinalizuara.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Klinikat e Ligjit adresuan dhe ndoqën 23 raste litigimi strategjik/kolektiv lidhur me disa nga çështjet më të rëndësishme mjedisore si rasti i landfilleve në Porto Romano, Durrës dhe Sheq, Fier; hidrocentraleve në Zall Gjocaj, Mat dhe Thirrë, Mirdita; inceneratori Verri, Fier: thertorja në Laknas, Kamëz; të drejtat e pronësisë për qytetarët në Guri i Kuq, Pogradec dhe Selitë, Tiranë; shpërblimin e 190 punëmarrësve për punë të kryer gjatë orëve shtesë, etj. Klinikat e Ligjit ofruan ndihmë ligjore parësore për 4,123 qytetarë dhe ndihmë juridike dytësore për 153 qytetarë. Nëpërmjet platformës www.juristionline.al juristët iu përgjigjën nevojave dhe problematikave të adresuara nëpërmjet 3,400 kërkesave të qytetarëve.

JuristiOnline është i vetmi instrument online, që ofron ndihmë juridike falas në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas, si pjesë e platformës E-Albania.

Nëpërmjet ofrimit të ndihmës juridike parësore dhe dytësore dhe nëpërmjet ndjekjes së çështjeve gjyqësore strategjike, shërbimet e Klinikave të Ligjit kanë ndikuar jo vetëm në mbështetjen e qytetarëve dhe komuniteteve për zgjidhjen e problemeve të tyre, por edhe në advokimin pranë institucioneve publike që në ndjekjen e praktikave të ngjashme të zbatohet kuadri ligjor në fuqi.

Nga puna jonë pranë komuniteteve ka rezultuar që fuqizimi ligjor zakonisht kuptohet si ndihmë juridike dhe ka pak shembuj në sektorin e shoqërisë civile që përfaqësojnë plotësisht këtë koncept. Ne besojmë se investimi në fuqizimin ligjor nuk është vetëm një ndryshim paradigme, por kërkon përmirësim domethënës të metodologjisë së punës, strukturës organizative, procedurave dhe llojit të ndërveprimit me komunitetet.

Vazhdimi i misionit të nisur katër vite më parë nga juristët dhe paraligjorët erdhi si nevojë për garantimin e vazhdimësisë së këtij mekanizmi të suksesshëm dhe u shoqërua me themelimin e Qendrës “Centre for Legal Empowerment”.

Thelbi i nismave dhe aktiviteteve tona mbështetet në besimin se nëse proceset ligjore ndërtohen me qasjen e fuqizimit ligjor, e cila lejon dhe mbështetet në pjesëmarrjen e plotë të komuniteteve ose qytetarëve të dëmtuar në këtë proces, potenciali për të ndikuar në sjelljen e institucioneve publike nga ana e komuniteteve të cenuara do të jetë më i madh, duke rritur mundësitë për ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme.

CLE është një qendër ligjore që ofron shërbimet pranë komuniteteve, e cila përfshin në aktivitetet e saj thelbësore dhe mbështet veprimtarinë te puna e paraligjorëve dhe avokatëve, duke ofruar aktivitete të edukimit ligjor në nivel komunitar dhe duke mbështetur pjesëmarrjen aktive të komuniteve në proceset advokuese dhe ligjore, përfshirë këtu ndjekjen e çështjeve gjyqësore strategjike.

CLE është fokusuar në ofrimin e shërbimeve të edukimit ligjor dhe ndihmës juridike parësore dhe dytësore, identifikimin dhe ndjekjen e rasteve që prekin një numër të madh qytetarësh dhe që mund të sjellin ndryshime në nivelin strategjik dhe në nivelin e politikave, çka do të garantonte mbrojtjen e të drejtave socio-ekonomike.

CLE ofron ekspertizë në fushat e mëposhtme:

  • Të drejtat në vendin e punës;
  • Mbrojtja e mjedisit;
  • Mbrojtja e të dhënave personale;
  • Mbrojtja e konsumatorit;
  • Të drejtat e kujdesit shëndetësor;
  • Lufta kundër korrupsionit;
  • Zhvillimi i projekt-propozimeve për financimin e nismave;
  • Zhvillimi i trajnimeve për studentë, avokatë, organizata të shoqërisë civile dhe institucione publike.