Kundërshtimi i ndërtimit të thertores në pyllin e Laknasit

Avokatët, së bashku me Qendrën ‘Kujri’ në Kamëz kanë përfaqësuar banorët e Laknasit prej dy vitesh në betejën e tyre ligjore kundër funksionimit të një thertoreje në një zonë të pyllëzuar të cilën ata e kishin mbjellë dhe mirëmbajtur vetë, duke ofruar vullnetarisht punën e tyre.

Në shkurt 2020, avokatët nisën të ndjekin seancat e një çështjeje gjyqësore të nisur nga më shumë se 40 banorë të Kamzës kundër një projekti biznesi, i cili do të kishte dëmtuar plotësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme një pyll publik. Pylli është mbjellë gjatë 50 viteve të fundit nga banorët, të cilët po bashkëpunojnë për mirëmbajtjen e tij. Së bashku me Qendrën ‘Kujri’ dhe aktivistët e Grupit ‘ATA’, avokatët nisën një lëvizje ligjore dhe qytetare për të arritur ndryshimin e këtij klasifikimi të tokave në regjistrat kadastralë nga ‘tokë truall’ në ‘pyll’. Avokatët zhvilluan dy takime me Kryetarin e Bashkisë Kamëz, ku i paraqitën kërkesën për të mos i rinovuar lejen e ndërtimit kompanisë private.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi pezullimin e ndërtimit të thertores në zonën e quajtur “Plepat e Brukës” në Laknas të Kamzës, por Gjykata Administrative e Apelit vendosi rrëzimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Më 9 nëntor 2021, Gjykata e Lartë vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë për masën e përkohshme, e cila kishte pezulluar përkohësisht ndërtimin e thertores në zonën e quajtur “Plepat e Brukës” në Laknas, Kamëz.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi shfuqizimin e vendimit me të cilin miratohej ndërtimi i thertores në zonën e quajtur “Plepat e Brukës” në Laknas, Kamëz.

Avokatët nisën një proces që synon ndryshimin e klasifikimit kadastral të tokës nga “tokë truall” në “pyll”, i cili do të garantonte gjendjen aktuale të pronës, duke e bërë të pamundur ndërtimin e projektit aktual. E njëjta gjë do të vlejë edhe për projektet e tjera në të ardhmen. Kjo nismë po zbatohet në bashkëpunim me aktivistët e Grupit “ATA”, Qendrës “Kujri” dhe banorë të zonës.

Shpërndaje postimin

Facebook
Twitter
LinkedIn