Zall-Gjocaj, Mat: Gjykata e Lartë vendosi heqjen e licencës së kompanisë konçesionare për prodhimin e energjisë për HEC-in në Zajs.

Në lumin Mat po ndërtohen dy HEC-e, në kundërshtim me legjislacionin mjedisor dhe akte të tjera ligjore. Një pjesë e madhe e projektit është duke u zhvilluar brenda Parkut Kombëtar “Lurë – Dejë” që është zonë e mbrojtur. Ky projekt u zhvillua pa konsultime me banorët e zonës. Ndihma ligjore është kërkuar nga banorët e fshatrave pranë zonës ku planifikohet të ndërtohen HEC-et.

Avokatët nisën një proces gjyqësor me synim marrjen e vendimit gjyqësor për pezullimin e punimeve të ndërtimit (masë e përkohshme). Avokatët u asistuan nga tre ekspertë privatë, të cilët vlerësuan dhe përcaktuan dëmet e mundshme që ndërtimi i HEC-eve mund t’i shkaktojë mjedisit dhe ujërave të lumit. Një padi dhe një kërkesë për masë të përkohshme u depozituan në janar 2020. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë e rrëzoi kërkesën për masë të përkohshme. Vendimi me të cilin u refuzua kërkesa për masë të përkohshme u ankimua në Gjykatën Administrative të Apelit dhe, pas disa seancash gjyqësore, procedurat u pezulluan për tre muaj për shkak të pandemisë. Në qershor 2020, Gjykata rifilloi punën dhe vendosi të rrëzojë pretendimet tona të paraqitura me padinë, pavarësisht se pranoi se kishte disa parregullsi dhe shkelje. Gjykata argumentoi se këto të fundit nuk mund të shkaktojnë pavlefshmërinë absolute të procedurës. Vendimi përfundimtar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë u ankimua në Gjykatën Administrative të Apelit.

Duke qenë se autoritetet publike të përfshira kanë konfirmuar se HEC-et po ndërtohen në një zonë të mbrojtur, avokatët, në emër të qytetarëve të përfshirë, kanë dorëzuar një peticion pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit (MTM), duke kërkuar që të merren të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura. MTE nuk iu përgjigj kësaj kërkese. Pas skadimit të afatit ligjor, avokatët dorëzuan dy padi të reja.

Në janar 2021, Gjykata Administrative e Tiranës shfuqizoi vendimin që licenconte kompaninë për të ndërtuar një hidrocentral me kapacitet 2295 KW në një zonë të mbrojtur.

Në nëntor 2021, Gjykata Administrative e Apelit vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe ndalimin e ndërtimit të HEC-it në Zais.

Në mars 2022, Gjykata e Lartë vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës Administrative të Apelit.

Më 24 Nëntor 2022 Gjykata e Lartë vendosi lënien në fuqi të vendimeve të mëparshme duke i hequr licensën kompanisë koncensionare për prodhimin e energjisë për Hec Zajs, në Zall Gjocaj.

Gjatë kësaj periudhe avokatët e CLE i ofruan asistencë ligjore komunitetit në bashkëpunim me EcoAlbania, ndërsa grupi informal ATA Kamza shërbeu si ndërmjetës dhe ofroi ekspertizën e tyre në kryerjen e aktiviteteve. Gjithashtu, bashkëpunimi me mediat/gazetarët ishte kyç për të ushtruar presion të mëtejshëm: PortaVendore mbuloi nga afër rastin, Nyje.al – portal mediatik vendor – publikoi materiale të shkruara dhe audio-vizuale dhe ndihmoi në vendosjen e kontakteve me media të tjera. Në projekt u angazhuan edhe Citizens Channel, Reporter.al, Fax Web, Syri.net dhe dy gazetarë.

Shpërndaje postimin

Facebook
Twitter
LinkedIn