Pas protestave të shumta dhe ndjekjes së çështjes gjyqësore, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë i jep të drejtë banorëve të fshatit Thirrë, Sang dhe Hebë duke anuluar lejen dhe ndaluar ndërtimin e dy hidrocentraleve sëbashku me një fabrikë uji në burimin Krazhna në këto zona.
Centre for Legal Empowerment përfaqësoi166banorë të fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë, për të ju drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe kundërshtuar lejen e dhënë nga organet publike për ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik në dëmtim të mjedisit ku ata jetojnë.
Në 24 shkurt, gjykata vendosi anulimin e lejeve duke vendosur në favor të mbrojtjes së mjedisit
Leja për ndërtimin e HEC-it dhe fabrikës së ujit në zonën e Thirrës u dha më 20 qershor 2018 dhe banorët reguan menjëherë duke akuzuar kompaninë për falsifikim të firmave duke bërë dhe kallëzimin penal ndaj saj.
Gjithashtu, 166 banorët adresuan rastin përpara Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Konkretisht, në kërkesë padi paditësit kërkuan:
- Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit për VNM-në paraprake, Nr.103, të miratuar me Vendimin Nr.07, dt.21.02.2017, për zhvillimin e projektit “HEC Thirrë”, të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit;
- Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit për VNM-në paraprake, Nr.665, të miratuar me Vendimin Nr.56, dt.07.11.2016, për zhvillimin e projektit “Fabrikë imbotilimi ujë të pijshëm”, të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Njëkohësisht ndërkohë që po zhvillohej procesi gjyqësor nga avokatët e CLE, banorët vazhdimisht zhvilluan protesta për mbrojtjen e mjedisit dhe të burimeve ujore të kësaj zone, të cilat cenoheshin rëndë nga ndërtimet e HEC-it Thirrë dhe të fabrikës së ujit në burimin Krazhna. Këta banorë kanë pronat e tyre të trashëguara brez pas brezi në këto fshatra dhe e kanë të lidhur jetesën dhe historikun familjar me këto burime uji. Ndërtimi i HEC-it dhe fabrikës së ujit, i lë banorët e kësaj zone pa mjete jetese, pasi i heqin asaj elementin kryesor i cili është uji. Në shumë raste protestat kanë përfunduar dhe me arrestime të protestuesve.