Centre for Legal Empowerment ka nisur serinë e trajnimeve informuese si pjesë e projektit “Vepro@Mjedisin: Të rinjtë aktiv për një Shqipëri Evropiane të gjelbër”.

Përgjatë muajve shtator dhe tetor, Centre for Legal Empowerment do të zhvillojë një seri trajnimesh me studentët ku në fokus do të jenë legjislacionet për çështjet mjedisore, me qëllim kryesor informimin dhe ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen e mjedisit në kuadrin ligjor.

Trajnimi i parë, me temë, “E drejta e komuniteteve dhe organizatave jofitimprurëse për të adresuar në gjykatë raste të dëmtimit të mjedisit“, u zhvillua ditën e enjte, datë 15 shtator në ambientet e Fakultetit të  Shkencave Politike-Juridike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Ky trajnim i parë, i mbajtur nga Dr. Dorina Ndreka (Asllani) bëri një prezantim të së drejtës për të adresuar në gjykatë çështjet mjedisore duke vijuar me disa raste konkrete ku shoqëria civile ka ndjekur rrugën ligjore për të mbrojtur mjedisin. 


Gjatë këtij aktiviteti të parë u vu re një interes i madh nga pjesëmarrësit për të mësuar mbi këtë çështje, për të cilën ata u shprehën se nuk kanë shumë informacion.

Trajnimi vijoi ditën e premte, datë 16 shtator me pjesën e dytë me temë “Raste nga praktika të dëmtimit të mjedisitnga ndërtimi i hidrocentraleve”.  Gjatë këtij trajnimi të dytë, të rinjtë patën mundësinë të diskutonin me Dr. Dorina Ndreka (Asllani) mbi çështje mjedisore nga jeta e përditshme. Dr. Ndreka (Asllani) pasi prezantoi raste të cilat ajo vetë ka ndjekur në gjykatë, si rasti i hidrocentralit në Zall-Gjocaj, elaboroi së bashku me pjesëmarrësit mbi problematika mjedisore nga përditshmëria e tyre dhe sesi ata mund të angazhohen për ti zgjidhur.

Trajnimet e ardhshme do të zhvillohen në ambientet e Fakutetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ku janë të ftuar të gjithë të interesuarit të marrin pjesë dhe diskutojnë së bashku me trajnuesit mbi tematikat e rradhës.  

Informacionet e dhëna gjatë trajnimeve, gjithashtu gjenden të publikura dhe në website juristionline.al në formën e informacioneve ligjore.

Ky projekt po zhvillohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.

*Kongresi Rinor Kombëtar (National Youth Congress – NYC) është një organizatë ombrellë e të rinjve – një bashkim i organizatave rinore, grupeve joformale, forumeve rinore të partive politike, me qëllim shkëmbimin e informacionit, nxjerrjen në pah të çështjeve të të rinjve, lobimin dhe advokimin për zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe ngritjen e kapaciteteve për të gjitha subjektet e përfshira në rrjet. KRK u krijua në mars 2013 në Tiranë dhe numëron një antarësi mbi 120 organizata rinore aktive në të gjithë vëndin. Misioni i KRK është të mobilizojë organizatat rinore dhe të forcojë rolin e të rinjve në shoqëri që ata të kenë një zë të përbashkët për të mbrojtur dhe lobuar për çështje që i prekin.

**Titulli “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” (Tirana European Youth Capital 2022), i cili do të zbatohet gjatë vitit 2022 nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë i është akorduar Tiranës në kuadër të nismës European Youth Capital nga Forumi Rinor Evropian.  Ky program sjell mundësi të reja, ndryshime pozitive, inkurajon pjesëmarrjen aktive, promovon identitetin evropian, diversitetin dhe përfshirjen, duke transformuar qytetin në një pikë ndërkombëtare takimi për të rinjtë.

Shpërndaje postimin

Facebook
Twitter
LinkedIn