Ditën e hënë, datë 6 mars, në zyrat e CLE, drejtori ekzekutiv i kësaj qendre, Av. Franc Terihati zhvilloi një trajnim me studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ku prezantoi rëndësinë e litigimit strategjik në fuqizimin ligjor të individëve dhe komuniteteve. Trajnimi u organizua në bashkëpunim me organizatën studentore ELSA, European Law Student Association of Albania, të cilët ishin edhe të pranishëm në këtë takim.
Gjatë takimit u prezantuan elementë kryesorë të fuqizimit ligjor, si advokimi dhe litigimi duke i ilustruar me raste të ndryshme të ndjekura nga CLE, për çështje mjedisore, mbi të drejtat në punë, për mbrojtjen e pronësisë, etj..
Pjesëmarrësit shfaqën një interes të madh për këto raste duke u shprehur se litigimi strategjik është një koncept i ri për ta, mbi të cilin nuk kanë marrë shumë njohuri në auditorët e fakultetit. “Të shohësh nga afër raste konkrete të litigimit strategjik në ndihmë të komuniteteve është shumë frymëzuese për juristë dhe avokatë të ardhshëm si ne” – u shpreh një nga pjesëmarrësit.
Në fund të këtij takimi, përfaqësuesit CLE-së dhe ELSA-s njoftuan se në të ardhmen do të zhvillohen trajnime të tjera për tema të ndryshme ligjore.






