Centre for Legal Empowerment, në vijimësi të punës së saj për fuqizimin dhe pjesëmarrjen aktive të komunitetit Rom në Shqipëri, ishte e ftuar në “Western Balkans Roma Summit” të organizuar nga Civil Rights Defenders, në datat 17 -18 Nëntor 2022, në Prishtinë, për të prezantuar dhe njohur pjesëmarrësit me angazhimin dhe punën e qendrës dedikuar sfidave të fuqizimit të komunitetit Rom në vendin tonë.

Drejtori Ekzekutiv i CLE, z. Franc Terihati, gjatë fjalës së tij paraqiti për të pranishmit në samit një pasqyrë të plotë mbi punën konkrete të CLE në mbështetje të komunitetit Rom, nga fuqizimi ligjor, ndihma juridike dhe zgjidhja përfundimtare e disa betejave gjyqësore ku komuniteti ka rezultuar fitues dhe përfitues.

Strehimi dhe paqëndrueshmëria e vendbanimeve ka bërë që komuniteti Rom në Shqipëri, problematikë kryesore të ketë pikërisht çështjen e strehimit dhe pronësisë. Në jo pak raste, për shkak të pamundësisë ekonomike dhe qasjes migratore që komuniteti Rom ka, strehimi dhe zotërimi i pronësisë për pjesëtarë të këtij komuniteti mbetet një problem i vazhdueshëm në Shqipëri, spektër në të cilin rrjeti i avokatëve e juristëve është angazhuar prej vitesh për të adresuar dhe zgjidhur.

Në Tiranë, përmes punës së përkushtuar të avokatëve, 3 familje të komunitetit Rom në Selitë, banesat e të cilëve u prishën në vitin 2016 për shkak të ndërtimit të “Unazës së Madhe”, Gjykata i njohu të drejtën e shpërblimit të dëmit për një vlerë totale 15,203,555 Leke.

Në Pogradec, 10 familje të strehuara që prej vitit 1990 në godinën e ish-Hotelit të Minierës së gurit të Kuq në Memelisht, u nxorën nga banesat tyre duke përfunduar në rrugë, pas vendimit për të nxjerr në ankand këtë godinë nga kompania Alb-Miniera, e cila veproi në cilësinë e pronarit të godinës. Puna e avokatëve tanë në këtë betejë nisi me objektivin e pezullimit të ankandit të godinës për të vijuar më pas me procesin e njohjes së pronësisë. Në përfundim, Gjykata i njohu 10 familjeve të dëbuara të drejtën e pronësisë, proces që i hapi rrugë ndalimit përfundimtar të dëbimit edhe të 30 familjeve të tjera që banonin në këtë godinë.

Puna konkrete dhe direkte e avokatëve të CLE ka dhënë frytet e saj duke krijuar jo vetëm raste suksesi por dhe precedentë të rëndësishëm ligjorë në ruajtjen, mbrojtjen dhe konsolidimin e të drejtave të komuniteti Rom në vendin tonë. “Puna me komunitetin Rom nuk është thjeshtë çështje proceduriale, ajo kërkon shumë përkushtim, përfshirje dhe sinqeritet. Ne jemi përpjekur që për këtë komunitet të mos jemi vetëm avokatët e çështjeve të tyre, por partnerë të besueshëm në rrugëtimin plot sfida e vështirësi për ta. Puna me komunitetin dhe rezultatet e arritura që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së familjeve, na motivon çdo ditë për të qenë pranë tyre sa herë ata kanë nevojë dhe jo vetëm, por të jemi pranë tyre edhe për ti fuqizuar në aspektin ligjor për të përballuar problematikat e mundshme që mund të përballen në të ardhmen” – u shpreh Drejtori Ekzekutiv i CLE gjatë fjalës në “Samitin e Ballkanit Perëndimor për Romët”

Samiti mbledh përfaqësues të komunitetit Rom, shoqërisë civile dhe vendimmarrës nga i gjithë rajoni çdo vit, për të diskutuar mbi punën dhe aktivizmin social për gjithëpërfshirjen dhe barazinë e komunitetit Rom në shoqëritë tona. Më shumë mbi këtë aktivitet mund të lexoni duke klikuar këtu.

Gjithashtu më shumë mbi rastet e ndjekura nga CLE në kuadër të fuqizimit të komunitetit Rom mund të lexoni duke klikuar në link 1 dhe link 2.

Puna e CLE mbi këtë çështje vijon dhe pjesëmarrja në samit ishte një mundësi e mirë për të diskutuar dhe ndarë ide sesi mund të aktivizohemi sëbashku si shoqëri civile në mbështetje të komunitetit Rom.

Shpërndaje postimin

Facebook
Twitter
LinkedIn