Ky studim ka për qëllim realizimin i një analize të detajuar i rolit të paraligjorit në ofrimin e shërbimeve paraligjore, detyrat funksionale, praktikën, kuadrin ligjor në Shqipëri dhe në vendet e tjera objekt studimi ku ky profesion është i institucionalizuar, ose ekziston në praktikë, si: Maqedoni e Veriut, Moldavi, Ukrainë, Gjeorgji, Sierra Leone, Afrikë e Jugut, Filipine. 

Nëpërmjet këtij studimi është vlerësuar ekzistenca e kushteve për përfshirjen e paraligjorit në Listën Kombëtare të Profesioneve, për të analizuar nëse ka mundësi që detyrat funksionale të paraligjorit të parashikohen në një profesion më vete dhe nëse mund të ketë mbivendosje me profesionet e tjera. Ky studim synon t’i japë sugjerime institucioneve kompetente me qëllim parashikimin ose jo të një profesioni të posaçëm në Shqipëri të emërtuar paraligjor, domosdoshmërinë e tij si dhe rregullimin e posaçëm lidhur me detyrat funksionale, punësimin, shkollimin, trajnimet, financimin etj.

Analiza e realizuar përmban edhe një tablo lidhur me mënyrën sesi është i rregulluar paraligjori, shkollimi i tij, detyrat konkrete, paraligjorët në komunitete, trajnimet e vazhdueshme, mënyra e financimit (institucione qendrore/lokale), komunitetet me të cilat paraligjorët punojnë në vendet objekt studimi, me qëllim që të sugjerohet mënyra e rregullimit të këtij profesioni dhe nëse është rasti institucionalizimi i tij në Shqipëri. Në këtë kuadër, janë marrë në konsideratë edhe raporte të hartuara nga organizata ndërkombëtare dhe kombëtare të vendeve objekt studimi.  

Në mënyrë të posaçme është analizuar VKM nr. 514/2017, që parashikon Listën Kombëtare të Profesioneve duke u fokusuar në profesione të ngjashme me paraligjorin si, asistent ligjorë, avokatë, nëpunës ligjorë dhe socialë, detyrat e këtyre profesionistëve, funksionet që mund të kryejnë etj. Me qëllim që analiza e legjislacionit të jetë e plotë dhe më e thelluar është zgjeruar fokusi i këtij studimi duke u analizuar edhe legjislacioni shqiptar, që garanton aksesin në drejtësi të qytetarëve.

Me qëllim që sugjerimet e këtij studimi të jenë të mbështetura në të dhëna cilësore dhe sasiore janë marrë në konsideratë studime lidhur me nevojat e sistemit të ndihmës juridike në Shqipëri dhe nëse është rasti, i parashikimit të një profesioni të ri, që do të mund të përmirësojë mangësitë e këtij sistemi. Të dhëna të përditësuara janë vënë në dispozicion nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë lidhur me funksionimin e skemës së re të ndihmës juridike falas.

Zhvillimi i këtij studimi u mbështet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Ky dokument është përgatitur me qëllim studimin e mundësisë së përfshirjes së profesionit të paraligjorit në Listën Kombëtare të Profesioneve. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e autoreve dhe të kontribuesve dhe në asnjë rast nuk reflekton apo përfaqëson domosdoshmërisht mendimin apo qëndrimin e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Shpërndaje postimin

Facebook
Twitter
LinkedIn