Më 9 mars 2020, Shqipëria deklaroi rastet e para të COVID-19. Qeveria anulloi menjëherë të gjitha aktivitetet publike, ndërsa bizneset si baret, restorantet, palestrat, zonat rekreative u mbyllën. Këto masa u shoqëruan edhe me mbylljen e kufijve tokësorë dhe ajrorë me vetëm disa përjashtime, në një situatë të paprecedentë më parë e njohur si mbyllje e vendit. Më shumë se 50% e të gjithë aktivitetit ekonomik vazhdoi me kapacitet të reduktuar, pavarësisht bllokimit. Rastet pozitive ranë gradualisht dhe deri më 27 prill, vendi përparoi në një lehtësim të njëpasnjëshëm të masave. Aktiviteti ekonomik u kthye në normalitet për shumicën e aktiviteteve deri më 1 qershor, me përjashtim të transportit publik dhe ngjarjeve të mëdha publike dhe kulturore. Nisur nga situata e krijuar nga COVID-19 që prej 9 mars 2020, në vend janë ndërmarrë një sërë masash të cilat kanë ardhur duke u përshkallëzuar. Dinamika e akteve ligjore dhe nënligjore me të cilat janë marrë këto masa ka qenë shumë e madhe. Këto masa kanë patur natyrë shtrënguese, kufizuese dhe më pas lehtësuese në funksion të kontrollit të situatës së epidemisë, uljes së numrit të të infektuarve nga COVID-19 dhe monitorimit të saj në vazhdimësi. 

Pandemia Covid-19, si forcë madhore ka ndikuar drejtëpërdrejtë në marrëdhëniet e punës në të gjithë botën, përfshirë edhe Republikën e Shqipërisë. Janë evidentuar praktika të ndryshme të aplikuara në praktikë për zgjidhjen e kontratave të punës nën efektin e forcës madhore dhe janë evidentuar shumë kërkesë padi pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë lidhur me konfliktet e lindura në marrëdhënie pune, më së shumti, zgjidhje të kontratave të punës për shkaqe ristrukturimi/riorganizimi të ndërmarrjeve, ulje të nummrit të fuqisë punëtore, pezullime të pagave, etj.

Raporti studimor të strukturuar në pesë krerë, ka si qëllim të analizojë kuadrin ligjor në fuqi që rregullon marrëdhëniet e punës në R. Sh-së me fokus të veçantë zgjidhjen e kontratës së punës, të trajtuara këto të fundit në vështrim të krahasuar me praktikat më të mira të ONP-së dhe rasteve praktike të paraqitura pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në kreun e parë, është trajtuar në mënyrë të zgjeruar kuadri ligjor në fuqi në R.Sh-së, i cili rregullon marrëdhëniet e punës. Janë trajtuar në mënyrë hierarkike të gjitha aktet ligjore në fuqi, duke filluar me Kushtetutën e R.Sh-së dhe duke përfunduar me Kodin e Punës. Rëndësi të veçantë merr analiza e kontratës individuale të punës dhe asaj kolektive, si edhe sindikatat në R.Sh-së. Në kreun e dytë, është trajtuar në mënyrë shteruese zgjidhja e kontratës individuale të punës, me fokus të veçantë impaktin e forcës madhore Covid-19. Kjo trajtesë është analizuar si në rrafshin teorik ashtu edhe atë praktik.  Në kreun e tretë, është parashtruar i gjithë legjislacioni i nxjerrë në kuadër të Covid-19, specifikisht ai legjislacion që ka patur impakt në marrëdhëniet e punës gjatë kohës së pandemisë Covid-19. Në kreun e katërt, janë pasqyruar praktikat më të mira të ONP-së në kuadër të marrëdhënieve të punës gjatë kohëzgjatjes së pandemisë Covid-19.  Në kreun e pestë, është trajtuar nga pikëpamja empirike dhe ajo materiale jurisprudenca e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të konflikteve gjyqësore në marrëdhëniet e punës.

Ju lutem klikoni këtu për të shkarkuar Raportin në pdf. 

Shpërndaje postimin

Facebook
Twitter
LinkedIn