CLE, në kuadër të bashkëpunimit me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas, ka angazhuar paraligjoren znj.Suela Fetau pranë Qëndrës së Ndihmës Juridike Tiranë ku ajo ka ndërmarrë disa aktivitete në kuadër të promovimit të Ndihmës Juridike Falas.
Këto aktivitete janë zhvilluar në bashkëpunim me Qendrat e Ndihmës Juridike Parësore të disa prej qyteteve ku u zhvilluan dhe këto aktivitete, si Tirana, Elbasani, Fieri dhe Patosi. Qëllimi i këtyre aktiviteteve ka qënë promovimi dhe ndërgjegjësimi i pjesmarrësve në institucione shtetërore, në institucione private, pranë OJF- ve të ndryshme dhe në terren në zona ku numri i njerëzve në nevojë është i lartë.
Në lidhje me rezultatet e kësaj fushate znj. Fetahu u shpreh:“Aktivitetet e kësaj natyre promovuese, ndërgjegjësuese për Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas dhe për ndihmën juridike parësore janë mirëpritur nga pjesëmarrësit. Kjo është bërë evidente në momentin e kërkimit të një informacioni më të detajuar, në kërkesën e tyre për të ditur në lidhje me vendndodhjen e QNJP si dhe në paraqitjen e problematikave të ndryshme.”
Aktivitetet kanë filluar në Elbasan në datë 23 shtator, ku u realizua takimi me Drejtoreshën Rajonale të Agjensisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Elbasan dhe më tej vijuan më 27 dhe 28 shtator pranë Qendrës Komunitare “Qëndrojmë së Bashku” në Kombinat dhe pranë Insitutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë.
Më 30 shtator, takimet u rikthyen në Elbasan pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Elbasan si drejtori që përfshin tre sektore:
- Sektorin shoqëror
- Ndihmën eknomike
- Aftësinë e kufizuar.
Ndërkohë muaji tetor, nisi me takimin e datës 4 pranë Qëndrës Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje në Kamëz ku pjesëmarrëse ishin gratë, në prezencën e punonjëses Sociale.
Në bashkëpunim me QNJ Fier u realizua dhe një takim me Drejtoreshën e Postës Fier.
Më datë 14 tetor u zhvillua aktiviteti ndërgjegjësues me në fokus moshën e tretë, – të moshuarit që janë me të ardhura të ulta dhe që i përkasin kategorisë së vecantë, si dhe përfitues të pensionit për shkak të aftësisë së kufizuar – pranë Qendrës Polivalente ditore Kamëz e cila mirëpret çdo ditë rreth 30 të moshuar të zonës së Kamzës. Gjatë këtij aktivitetit u bë informimi për ligjin nr. 111/ 2017, për DNJF, kategoritë përfituese të ligjit, si dhe vendndodhjen e QNJ Tiranë.
Gjatë muaji nëntor aktivitetet nisën në datë 11, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas mirëpriti partnerët nga Kosova në takimin e organizuar me Agjensinë e Ndihmës Juridike Kosovë. Delegacioni i Kosovës vizitoi nga afër Qendrën e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Tiranë, ku patën rastin të ndiqnin nga afër trajtimin e problematikës së një qytetari të interesuar për të përfituar ndihmë juridike të garantuar nga shteti.
Dita vijoi më pas me një takim me Këshilltaren e Ministrit të Drejtësisë në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, ku u diskutua mbi zhvillimet kryesore të dy sistemeve të ndihmës juridike falas dhe në datë 14 nëntor, Ministri i Drejtesise Z. Ulsi Manja, zhvilloi ceremoninë e shpërndarjes së autorizimeve për ofrimin e ndihmës juridike parësore për 15 organizata jofitimprurëse.
Gjatë cermonisë së shpërndarjes së autorizimeve, Ministri Manja, shprehu angazhimin për vijimin e bashkëpunimit me këto organizata në kuadër të përmbushjes së misionit “Garantim të aksesit në drejtësi për të gjithë qytetarët”.
Gjithashtu u theksua dhe një herë se Ndihma Juridike falas mbështet:
- shtresat në nevojë;
- rrit aksesin e qytetarëve në drejtësi;
- lehtëson punën e administratës publike dhe gjykatës;
si dhe përdorimi me efikasitet i mekanizmit të ndihmës juridike falas që do të jetë në fokus të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.
Aktiviteti i datës 16 nëntor u zhvillua me Shoqatën Romani Baht dhe Qendrën për Aksion Komunitar për të vazhduar ditën e nesërme aktivitetin me një takim në shkollën 9- vjeçare “Bajram Curri”, Tiranë, me drejtorin e shkollës Z. Genci Mosho i cili vlerësoi aktivitetin ndergjegjësues mbi DNJF, duke e theksuar si të nevojshëm për nxënësit dhe familjarët e tyre. Në bashkëbisedimet me nën/drejtoreshat e shkollës si dhe me psikologen e shkollës, ato shprehën dhe vlerësimin e tyre për sesionin informues. Për këtë arsye, në javët në vazhdim u zhvillua dhe një aktivitet informues me prindërit, dhe me stafin e mësuesve të kësaj shkolle.
Data 18 kremtoi zhvillimin e aktivitetit në nder dhe të datave 19 dhe 20 nëntor të cilat janë Dita Botërore e Parandalimit të Abuzimit ndaj Fëmijëve dhe Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijeve. Ky aktivitet u zhvillua në gjimnazin “Mahir Domi” në Elbasan. Së bashku me punonjësen sociale dhe me nxënësit u trajtuam disa shembuj kazuse-sh shpjegues të përfitimit të ndihmës juridike falas.
Gjithashtu, gjatë muajit nëntor u zhvillua dhe takimi me Qëndrën për të Drejtat e Grave Rome në Tiranë, takim ky i datës 22 nëntor pranë ambienteve të kësaj qendre.
Më datë 12 dhjetor u zhvillua takimi i rradhës me dr. Ekzekutive të Albanian Disability Rights Foundation, Znj. Blerta Çani Drenofci e cila shprehu rendesinë që ka për personat me aftësi të kufizuara përfitimi i ndihmës juridike falas duke qënë se dhe problematikat për këtë kategori janë të nga më të ndryshmet.
Takime të tjera janë zhvilluar dhe pranë ambienteve të universiteteve të ndryshme në vend, kryesisht në universitetet ku ndodhen dhe Klinikat e Ligjit, gjë që ndihmoi dhe në informimin e studentëve mbi klinikat si dhe Ndihmën Juridike Falas. Takimi i parë u zhvillua më datë 25 nëntor pranë Kolegjit Universitar “Beder” në Tiranë. Më datë 1 dhe 5 dhjetor takimet vijuan pranë “Universitetit Mesdhetar” në Tiranë dhe me studentët e “Kolegjit Universitar Qiriazi” në Tiranë.
Gjatë takimeve studentët shprehën interes për të qënë pjesë e Klinikave të Ligjit në fakultetet e tyre dhe për të marrë pjesë në trajnime të ndryshme që organizohen nga DNJF dhe CLE.
Aktivtetet përfunduan me takimin e datës 14 dhjetor pranë Qendrës Multifunksionale Balashe, takim ky i zhvilluar në bashkëpunim me Qendrën e Ndihmës Juridike Elbasan. Takimi u realizua me banorë që janë me aftësi të kufizuara të cilët u informuan mbi përfitimet që kanë nga DNJF.
Znj. Fetau gjatë kësaj periudhe, për më tepër është angazhuar në dhënien e ndihmës paraligjore ndaj personave të cilët gjatë takimeve kanë ndarë me të problematikat që ata hasin. Ajo i asiston ata me informacionet e nevojshme përkatëse dhe në disa raste mundëson dhe lidhjen e kontakteve me Qendrat e Ndihmës Juridike Falas, duke ardhur kështu në ndihmë të komuniteteve të ndryshme në vend.
Takimet dhe fushatat ndërgjegjësuese mbi shërbimet e Ndihmës Juridike Parësore vazhdojnë.